Studentët e Western Balkans University në ciklin e takimeve të organizuara nga Dekanati i Studentëve patën mundësinë e bashkëbisedimit me Prof.Dr.Mentor Petrelën, një ndër figurat më të spikatura të mjekësisë shqiptare.
Gjatë këtij leksioni të hapur Prof. Dr. Mentor Petrela në një mënyrë mjaft gjeniale pasi bëri një paraqitje historike të evoluimit të librit, leximit dhe mendimit, u ndal në rëndësinë e madhe që libri mbart në zhvillimin individual dhe social.
Ai theksoi se vetëm në sajë të thellimit në dije njeriu mund të sjell ndryshimin dhe zhvillimin. Leximi sipas Prof.Petrelës është mënyra më efikase e ushtrimit të trurit dhe zhvillimit të mendjes njerëzore. Sipas tij thellimi tek libri na jep vlerë dhe na mundeson të arrijmë majat.
Ai i këshilloi studentët e Western Balkans University që çelësin e suksesit ta kërkojnë pikërisht tek libri dhe leximi, të cilët do të jenë hapësit dhe ushqyesit e mendjes dhe imagjinatës, duke bërë të mundur çdo arritje të dëshiruar.
Gjithashtu Prof.Dr.Mentor Petrela pati mundësinë të vizitonte ambjentet e universitetit Western Balkans dhe shprehu vlerësimin e tij për këtë sipërmarrje të rëndësishme në fushën e arsimit të lartë.