
Western Balkans University zhvilloi aktivitetin me temë “Etika e informacionit në epokën e inteligjencës artificiale”, një sesion ndërgjegjësues i dedikuar studentëve mbi sfidat e reja të informacionit digjital dhe ndikimin e teknologjisë në media dhe komunikim.
Në aktivitet morën pjesë studentë nga programe të ndryshme, ndërsa prezantimet u mbajtën nga z. Emirjon Senja, ekspert i medias dhe drejtues i Skyweb.al, si dhe nga Prof. Erlis Çela.
Gjatë sesionit, Prof. Çela u fokusua kryesisht në rolin e inteligjencës artificiale dhe lidhjen e saj me përhapjen e dezinformimit, duke theksuar sfidat etike dhe nevojën për verifikim të vazhdueshëm të informacionit. Ndërkohë, z. Senja u ndal te ndikimi i rrjeteve sociale dhe algoritmeve në mënyrën se si konsumohet informacioni sot, si dhe te transformimi i shpejtë i zakoneve mediatike të publikut.
Gjatë aktivitetit u trajtuan gjithashtu çështje që lidhen me:
- cilësinë e informacionit dhe besueshmërinë e burimeve,
- konsumimin kritik të përmbajtjeve digjitale,
- mekanizmat e vetërregullimit në media,
- si dhe instrumente praktike për verifikimin e përmbajtjeve në kontekstin e teknologjive inteligjente.
Aktiviteti u përmbyll me një diskutim të hapur me studentët, të cilët shprehën interes dhe reflektime mbi sfidat etike të informimit në epokën digjitale, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit në krijimin, shpërndarjen dhe konsumimin e informacionit.
