Senati Akademik është organi kolegjial vendimmarrës i universitetit, i cili përcakton politikat e zhvillimit të institucionit, programon, bashkërendon, drejton dhe krijon mekanizma për kontrollin e veprimtarive të mësimdhënies e të kërkimit shkencor dhe vlerëson efikasitetin e tyre. Senati Akademik funksionon nё bazё tё dispozitave ligjore mbi arsimin e lartё nё Republikёn e Shqipërisё, si dhe Statutit dhe Rregulloreve e universitetit. Përgjatë funksionimit të tij, Senati Akademik bashkëpunon për procese vendimmarrëse me Bordin e Administrimit të universitetit.
Për shkak të funksionit, në Senatin Akademik janë anëtarë: Rektori, Zëvendësrektorët, Dekanët e Fakulteteve dhe Dekani i Studentëve. Në Senatin Akademik merr pjesë edhe Kryetari dhe Zëvendësryetari i Këshillit të Studentëve. Anëtarët e tjerë të Senatit Akademik zgjidhen nga Asambletë e Personelit Akademik të Njësive Kryesore, përmes një votimi të përgjithshëm, në mënyrë të barabartë, me nga dy anëtarë midis anëtarëve të vetëkandiduar të personelit akademik me kohë të plotë, për çdo njësi kryesore.
Funksionet dhe detyrat e Senatit Akademik:
- Garanton respektimin e parimeve të autonomisë, të lirisë akademike e të kërkimit, të mundësive të barabarta, si dhe të drejtat e studentëve.
- Vlerëson dhe i propozon Bordit të Administrimit për miratimin e hapjes së programeve të reja të studimit; për ndryshimet në programet ekzistuese; për hapjen, mbylljen apo bashkimin e njësive kryesore dhe bazë të universitetit; për ndryshimet e nevojshme strukturore nga pikëpamja akademike; për realizimin e tyre dhe për miratimin e tarifave të studimit.
- I bën kërkesë ASCAL-it për vlerësimin e cilësisë dhe akreditimin e programeve të studimit.
- I propozon Bordit të Administrimit miratimin e Statutit dhe Rregullores Themelore të universitetit dhe të gjitha ndryshimet në lidhje me aktet ligjore në përputhje me ligjet në fuqi.
- Zgjedh anëtarët e Këshillit të Etikës dhe anëtarët e Njësisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë.
- Monitoron, vlerëson, siguron dhe përgjigjet për sigurimin e cilësisë akademike të institucionit, në përputhje me standardet bashkëkohore.
- Garanton sigurimin e brendshëm të cilësisë, vendos për krijimin e Komisionit të Përhershëm për Garantimin e Standardeve të Cilësisë Institucionale dhe të Programeve të Studimit dhe miraton platformën e punës së tij.
- Vlerëson veprimtarinë mësimore dhe kërkimore-shkencore të personelit akademik dhe ndihmësakademik, si dhe krijon mekanizma përkatës për këtë qëllim.
Funksionet e tjera të Senatit Akademik përcaktohen në rregulloret e institucionit.
