Programi i studimit Master i Shkencave në “Imazheri Mjekësore dhe Radioterapi” është projektuar për t’u ofruar studentëve një formim të thelluar dhe bashkëkohor në shkencat e imazherisë diagnostike, terapive me rrezatim dhe aplikimeve klinike të radioizotopeve. Ky program ndërthur në mënyrë organike komponentët klinikë, teknologjikë, shkencorë dhe kërkimorë, duke përgatitur profesionistë të kualifikuar që mund të japin kontribut domethënës në sistemin shëndetësor modern.
Programi synon të formojë specialistë të aftë për të operuar aparatura të avancuara si CT, MRI, Angiografi, PET/SPECT, aparatura të radioterapisë (LINAC, planifikim 3D/IMRT/VMAT), si dhe sisteme të dozimetrisë klinike. Përmes integrimit të praktikës klinike me zhvillimet më të fundit teknologjike dhe kërkimore, programi synon të përgatisë profesionistë të aftë të përgjigjen shpejt dhe me kompetencë ndaj sfidave dinamike të imazherisë moderne, radioterapisë dhe mjekësisë nukleare.
Për të plotësuar nevojat e tregut të punës në vend dhe rajon, programi ofron tre profile të specializuara:
- Imazheri Diagnostike e Avancuar, e fokusuar në teknika e imazherisë cross-sectional-e dhe diagnostikë të avancuar;
- Radioterapi dhe Dozimetria, e dedikuar planifikimit të trajtimit, kontrollit të cilësisë dhe proceseve të optimizimit të dozës;
- Mjekësi Nukleare, e orientuar drejt përdorimit të radionuklideve për diagnostikim dhe terapi, si dhe menaxhimit të sigurisë rrezatuese.
Ky program është ndërtuar për të ofruar një formim të balancuar midis teorisë shkencore, trajnimit praktik dhe zhvillimit analitik, duke i pajisur studentët me aftësi që u mundësojnë të integrohen lehtësisht në mjedise spitalore, qendra onkologjike, laboratorë kërkimorë, kompani të teknologjisë mjekësore ose institucione akademike.
Për t’i ndihmuar studentët të zhvillojnë kompetenca klinike dhe teknike të nivelit të lartë, programi vë një theks të veçantë tek praktikat mësimore në departamentet e imazherisë, shërbimet e radioterapisë, mjekësisë nukleare dhe dozimetrisë klinike, si dhe tek përdorimi i software-ve të avancuar të planifikimit, analizës së imazhit dhe simulimit fizik.
Ofrimi i këtij programi në Universitetin “Western Balkans” (WBU) mbështetet në zhvillimet e mëdha të teknologjisë mjekësore, rritjen e domosdoshme të profilizimit profesional dhe integrimin gjithnjë e më të gjerë të inteligjencës artificiale në imazheri diagnostike, detektim të hershëm të patologjive dhe planifikim të trajtimit në radioterapi. Për shkak të këtyre zhvillimeve, tregu aktual i punës kërkon profesionistë që zotërojnë aftësi të avancuara teknike, shkencore dhe analitike, aftësi që ky program synon t’i zhvillojë në mënyrë të qëndrueshme.
Programi është ndërtuar duke iu referuar praktikave më të mira ndërkombëtare të universiteteve të njohura, përvojës së gjerë të stafit akademik vendas dhe të huaj, si edhe kërkesave të tregut vendas dhe atij global. Ai është një program unik jo vetëm për nga struktura, por edhe për nga metodologjia, duke ofruar qasje në literaturën më bashkëkohore ndërkombëtare dhe duke integruar zhvillimet më të fundit në fizikë mjekësore, onkologji, radiobiologji, siguri rrezatuese dhe teknologji diagnostike.
Programi nuk është i fokusuar thjesht në funksionimin e aparaturave apo protokollet klinike, por ndërthur njohuritë bazë të shkencave ekzakte, fizikës së rrezatimit, inxhinierisë biomjekësore, biofizikës dhe shkencave klinike për të lejuar studentët të zhvillojnë aftësi të thelluara analitike, interpretative dhe kërkimore. Ai u përshtatet individëve të apasionuar pas teknologjisë mjekësore, kujdesit shëndetësor të avancuar, inovacionit diagnostik dhe terapive moderne me rrezatim.
