Programi i studimit Master i Shkencave në “Shkenca Mjekësore Laboratorike” është konceptuar për të përgatitur profesionistë të një niveli të lartë në fushën e mjekësisë laboratorike klinike dhe laboratorëve forenzikë, duke integruar njohuritë më bashkëkohore shkencore me praktikat moderne diagnostike. Programi synon të formojë specialistë të aftë të kuptojnë, analizojnë dhe interpretojnë të dhënat biologjike, biokimike, molekulare dhe toksikologjike që lidhen si me proceset patologjike të organizmit, ashtu edhe me hetimet shkencore që shoqërojnë veprimtarinë forenzike.
Në përputhje me nevojat e sistemit shëndetësor, mjekoligjor dhe të mekanizmave të sigurisë në vend dhe në rajon, programi është strukturuar në dy profile:
• Diagnostikë Klinike – i fokusuar në metodat laboratorike të avancuara për diagnostikimin, monitorimin dhe menaxhimin e sëmundjeve.
• Shkenca Forenzike – e orientuar drejt analizimit biologjik dhe kimik për identifikimin njerëzor, hetimin e substancave psikoaktive, toksikologjinë dhe administrimin e provave gjurmuese në kontekst ligjor.
Programi është ndërtuar mbi një bazë të gjerë disiplinore, duke përfshirë biologjinë molekulare, biokiminë klinike, imunologjinë, mikrobiologjinë, epidemiologjinë, toksikologjinë, analizën forenzike të ADN-së, menaxhimin e provave ligjore dhe sistemet laboratorike të akredituara. Kjo qasje e integruar u mundëson studentëve jo vetëm të zotërojnë kompetenca të larta teknike, por edhe të kuptojnë rëndësinë e sigurimit të cilësisë, gjurmueshmërisë, etikës profesionale dhe sigurisë në laborator.
Për të përgatitur profesionistë sipas standardeve bashkëkohore, programi ndërthur mësimdhënien teorike me praktikat laboratorike të avancuara dhe përdorimin e teknologjive moderne për analizat molekulare, spektrofotometrinë, ekzaminimet forenzike, automatizimin laboratorik dhe sistemet informatike të menaxhimit laboratorik (LIMS).
Në përputhje me zhvillimet aktuale në shkencat biomjekësore, programi i kushton rëndësi të veçantë kërkimit shkencor, analizimit të të dhënave laboratorike, bioinformatikës dhe integrimit të teknologjive digjitale në proceset diagnostike dhe forenzike. Programi është gjithashtu i ndërtuar në harmoni me standardet europiane të kompetencës laboratorike, përfshirë ato të promovuara nga Federata Europiane e Kimisë Klinike dhe Mjekësisë Laboratorike (EFLM), Kornizën Europiane të Kualifikimeve (EQF, niveli 7), si dhe standardet ndërkombëtare për laboratorët e akredituar (ISO 15189 dhe ISO/IEC 17025).
Në një treg pune të karakterizuar nga zgjerimi i vazhdueshëm i shërbimeve laboratorike, rritja e kërkesave për sigurimin e cilësisë, nevoja për identifikimin e shpejtë të patogjenëve dhe rëndësia gjithnjë në rritje e shkencave forenzike, ky program synon të përgatisë profesionistë të aftë për të kontribuar aktivisht në këto zhvillime. Programi u drejtohet individëve të interesuar për analizimin e të dhënave biologjike dhe kimike, kërkimin shkencor, inovacionin diagnostik dhe proceset që lidhen me drejtësinë dhe sigurinë publike.
