Stazhe, praktika klinike dhe mundësi punësimi për studentët e Departamentit të Infermierisë dhe Fizioterapisë në WBU | Western Balkans University

Stazhe, praktika klinike dhe mundësi punësimi për studentët e Departamentit të Infermierisë dhe Fizioterapisë në WBU

Kreu >Lajmet e fundit >Stazhe, praktika klinike dhe mundësi punësimi për studentët e Departamentit të Infermierisë dhe Fizioterapisë në WBU

Mundësi të shkëlqyera me Median Reha Zentrum, një nga rrjetet më të mëdha të qendrave të rehabilitimit në Gjermani 

Një delegacion me përfaqësues nga Median Reha Zentrum, një nga qendrat më të mëdha të rehabilitimit në Gjermani, ka realizuar një vizitë dy-ditore pune në Shqipëri.

Ditën e parë, ata vizituan Western Balkans University ku u takuan me drejtuesit e WBU, stafin akademik dhe studentët nga Departamenti i Infermierisë dhe Fizioterapisë për të diskutuar objektivat dhe planet e ardhshme për bashkëpunim mes dy institucioneve. Në qendër të këtyre diskutimeve ishin mundësitë dhe dyert e hapura për studentët e WBU për stazhe, praktika klinike dhe mundësi punësimi në të ardhmen. 

Partnerët gjermanë vizituan gjithashtu kampusin e WBU, përfshirë laboratorët modernë ku studentët tanë kryejnë trajnime praktike. Pas vlerësimit të standardeve të larta të infrastrukturës së WBU dhe angazhimit të universitetit për të trajnuar profesionistët e së ardhmes, ata theksuan rëndësinë e projekteve të përbashkëta që do të sjellin përfitime të ndërsjella për të dyja palët dhe do të ndihmojnë në rritjen e standardeve në sektorin e shëndetësisë.  

Pjesë e vizitës së tyre ishte edhe vizita pranë Spitalit Amerikan në Tiranë, të cilët bashkë me anëtarë të stafit akademik të Departamentit të Infermierisë dhe Fizioterapisë pranë WBU bënë një tur në njësitë e rëndësishme që janë të përfshira në mësimdhënien e studentëve gjatë praktikave profesionale në infermieri dhe fizioterapi, si: departamenti i urgjencës, ICU, dhomat e pacientëve, klinika e fizioterapisë, Njësia “Stoke”, imazheria etj.  

Ndër të tjera, ata zhvilluan diskutime interaktive dhe produktive me studentë të vitit të dytë dhe të tretë pranë WBU. Duke treguar një interes të veçantë për programet e stazheve, studentët tanë u informuan gjerësisht për shërbimet dhe mundësitë që ofrohen nga klinikat e tyre në Gjermani. 

Përgjatë këtyre diskutimeve, u propozua gjithashtu krijimi i mundësive për vizita dhe përvoja afatshkurtra gjatë këtij viti, me qëllim njohjen e studentëve të interesuar me ambientin dhe punën në klinika.

Western Balkans University vazhdon me angazhimin e tij të fortë për të krijuar bashkëpunime dhe partneritete të frytshme, nga të cilët studentët e WBU janë përfituesit kryesorë.