Forumi Ndërkombëtar M3DTech në WBU: Praktikat më të Mira Evropiane në Përdorimin e Realitetit Virtual në Edukimin Mjekësor | Western Balkans University

Forumi Ndërkombëtar M3DTech në WBU: Praktikat më të Mira Evropiane në Përdorimin e Realitetit Virtual në Edukimin Mjekësor

Kreu >Lajmet e fundit >Forumi Ndërkombëtar M3DTech në WBU: Praktikat më të Mira Evropiane në Përdorimin e Realitetit Virtual në Edukimin Mjekësor

Më 10 nëntor 2026, Western Balkans University mirëpriti ditën e parë të Forumit Ndërkombëtar M3DTech, me temë “EU Best Practices in VR-based Pedagogies: What Can We Learn from European Universities?” (Praktikat më të Mira të BE-së në Pedagogjinë e Bazuar në Realitetin Virtual: Çfarë Mund të Mësojmë nga Universitetet Evropiane?).

Forumi mblodhi përfaqësues të komunitetit akademik, partnerë të projektit, studentë dhe profesionistë për të shkëmbyer njohuri dhe përvoja mbi integrimin e teknologjive të Realitetit Virtual (VR) në edukimin mjekësor dhe shkencat shëndetësore.

Aktiviteti u hap zyrtarisht nga Prof. Asoc. Dr. Ana Uka, Koordinatore e Projektit M3DTech në WBU, ndërsa fjalën përshëndetëse e mbajti Prof. Asoc. Dr. Albana Halili, Zëvendësrektore e Western Balkans University.

Gjatë sesionit kryesor, përfaqësues nga UCV (Spanjë), Savonia (Finlandë) dhe LUHS (Lituani) prezantuan përvojat dhe qasjet e tyre në integrimin e Realitetit Virtual në mësimdhënien universitare, duke ndarë aplikime praktike, sfida dhe mësime të nxjerra nga përdorimi i këtyre teknologjive.

Programi vijoi me diskutimin në panel “From European Practice to Local Relevance” (Nga Praktikat Evropiane te Zbatimi në Kontekstin Lokal), të moderuar nga Dr. Adnan Hoxha, Koordinator i Projektit pranë Heimerer, Kosovë. Diskutimi bashkoi perspektivat e institucioneve partnere evropiane dhe të Ballkanit Perëndimor, me fokus në përshtatjen e përvojave ndërkombëtare për zhvillimin e edukimit të bazuar në Realitetin Virtual në rajon.

Gjatë pasdites u zhvillua një dialog interaktiv me studentë, pedagogë dhe profesionistë mbi prioritetet e projektit M3DTech, i ndjekur nga prezantimi i rekomandimeve kryesore dhe mbledhja e Komitetit Drejtues të projektit.

Dita e dytë e forumit, 11 nëntor 2026, fokusohet në rezultatet e vlerësimit të nevojave të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe Shqipëri, duke kontribuar në diskutimet mbi integrimin e ardhshëm të teknologjive gjithëpërfshirëse në edukimin mjekësor dhe shkencat shëndetësore.

Përmes Forumit Ndërkombëtar M3DTech, Western Balkans University vijon të mbështesë bashkëpunimin akademik, metodat inovative të mësimdhënies dhe zhvillimin e edukimit të bazuar në teknologji në fushën e shkencave shëndetësore.