Dita e Dytë e Forumit Ndërkombëtar M3DTech në WBU: Nga Vlerësimi i Nevojave te Veprimi | Western Balkans University

Dita e Dytë e Forumit Ndërkombëtar M3DTech në WBU: Nga Vlerësimi i Nevojave te Veprimi

Kreu >Lajmet e fundit >Dita e Dytë e Forumit Ndërkombëtar M3DTech në WBU: Nga Vlerësimi i Nevojave te Veprimi

 Më 11 nëntor 2026, Western Balkans University mirëpriti ditën e dytë dhe përmbyllëse të Forumit Ndërkombëtar M3DTech, me temë “Needs Assessment Results of Kosovo and Albanian HEIs” (Rezultatet e Vlerësimit të Nevojave të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë dhe Shqipëri).

Në cilësinë e institucionit përfitues udhëheqës të Paketës së Punës 2 (WP2) të projektit M3DTech, Western Balkans University shënoi përfundimin e rezultateve të planifikuara në kuadër të kësaj pakete. Gjatë forumit, Assoc. Prof. Dr. Ana Uka dhe Mirsije Kullau, përfaqësuese të WBU, prezantuan gjetjet kryesore dhe implikimet e vlerësimit të nevojave të realizuar në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë dhe Shqipëri.

Programi vijoi me sesionin “From Evidence to Action” (Nga Evidencat te Veprimi), ku partnerët e projektit diskutuan se si nevojat e identifikuara mund të shndërrohen në zgjidhje praktike dhe aktivitete të ardhshme në kuadër të projektit M3DTech.

Gjatë pasdites u zhvillua një dialog interaktiv me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të zyrave të sigurimit të cilësisë, dekanateve, stafit akademik dhe studentëve, me fokus përcaktimin e prioriteteve për fazën e ardhshme të projektit dhe integrimin e teknologjive të Realitetit Virtual (VR) në edukimin mjekësor dhe shkencat shëndetësore.

Forumi u përmbyll me sesionin “The Road Ahead” (Hapat e Ardhshëm), gjatë të cilit u prezantuan rekomandimet kryesore, u përmblodhën diskutimet dhe u përcaktuan hapat e ardhshëm të projektit M3DTech.

Përmes këtij forumi ndërkombëtar dyditor, Western Balkans University riafirmoi angazhimin për bashkëpunimin akademik, promovimin e metodave inovative të mësimdhënies dhe zhvillimin e edukimit të mbështetur në teknologji, duke kontribuar në avancimin e të nxënit përmes Realitetit Virtual në institucionet e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor.