WBU bashkëpunon me Media Reha Zentrum, Bernkastel Kues | Western Balkans University

WBU bashkëpunon me Media Reha Zentrum, Bernkastel Kues

Kreu >Lajmet e fundit >WBU bashkëpunon me Media Reha Zentrum, Bernkastel Kues

Universiteti Western Balkans nënshkroi këtë javë Memorandumin e Bashkëpunimit me Median Reha Zentrum, Bernkastel Kues.

Në mbështetje të misionit të tij në formimin e profesionistëve të së ardhmes, të fokusuar në të mirë dhe në funksion të individit dhe shoqërisë, si dhe angazhimin për të qenë një universitet i spikatur ndërkombërtarisht ne fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit, Western Balkans është në përpjekje të vazhdueshme për të siguruar bashkëpunime dhe partneritete të cilat i vijnë në ndihmë rrugëtimit të studentëve të tij. 

Në fillim të këtij viti akademik WBU nisi bashkëbisedimet MEDIAN Reha Zentrum Bernkastel Kues, pjesë e operatorit më të madh të qendrave rehabilituese në Gjermani. Vetëm në Bernkastel Kues gjenden katër klinika me mbi 800 shtretër në të cilat u ofrohet pacientëve një gamë të gjerë shërbimesh rehabilitimi mjekësor. Çdo klinikë ka diagnostifikimin e saj funksional dhe një departament të madh terapie. Bashkëpunimi ndërdisiplinor midis departamenteve të ndryshme (kardiologji, neurologji, psikosomatikë-fizioterapi dhe ortopedi) mundëson trajtim të përshtatur individualisht për suksesin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të shërimit të pacientëve. 

Mundësitë e internshipeve, praktikave profesionale dhe mundësi punësimi në të ardhmen janë kryefjala e memorandumit të bashkëpunimit WBU-Median Reha Zentrum Bernkastel Kues që do tu shërbejë studentëve të Departamentit të Infermierisë dhe Fizioterapisë, në programet bachelor dhe master. 

Për të parë nga afër qendrat e rehabilitimit në Bernkastel Kues, një grup i përbërë nga Presidenti i WBU, staf akademik dhe studentë të departamentit të Infermierisë dhe Fizioterapisë zhvilluan në Dhjetor të vitit të kaluar një vizitë dy ditore në Gjermani. 

Atje u pritën nga administratori, kryeinfermieri dhe kryefizioterapisti i qendrës Rehabilituese Median. Vizita nisi me prezantime të dy palëve dhe më pas vazhdoi me një tur të detajuar të 4 klinikave në Bernkastel Kues. Me përfshirje të stafit tjetër të klinikës u ndoq nga afër ambientet dhe puna e personelit me pacientët. 

Pas vizitës në dhjetor bisedimet për bashkëpunim erdhën duke u intensifikuar. Pasi WBU dhe Median ranë dakord mbi qëllimin e bashkëpunimit të tyre, puna vazhdoi me përgatitjen e Memorandumit të Bashkëpunimit i cili u firmos në fillim të prillit. Bashkë me të, një plan i detajuar veprimi është ndërmarrë për të bërë të munduyr arritjen e objektivave të bashkëpunimit. 

Studentëve të programeve Infermieri dhe Fizioterapi por edhe stafit u ofrohen mundësi programi shkëmbimi, mundësi internship dhe praktike klinike, pjesëmarrje në seminare dhe workshope të përbashkëta të fokusuara në zhvillimet më të fundit në fushën e Infermierisë dhe Fizioterapisë, dhe mundësi punësimi në të ardhmen. 

Ky projekt bashkëpunues ka potencial të jashtëzakonshëm për rritje dhe përsosmëri reciproke në edukimin e kujdesit shëndetësor dhe praktikën klinike. Grupet e para të mobilitetit pritet të organizohen në verën e këtij viti.

Në muajin Maj një grup me përfaqësues nga Median do të vizitojnë Universitetin Western Balkans për të diskutuar nga afër me stafin dhe studentët, për të ndarë objektivat dhe planet e bashkëpunimit dhe për ta cuar një hap më përpara bashkëpunimin me WBU.