WBU organizon sesion informues mbi përdorimin e përgjegjshëm dhe efektiv të Inteligjencës Artificiale në arsimin e lartë | Western Balkans University

WBU organizon sesion informues mbi përdorimin e përgjegjshëm dhe efektiv të Inteligjencës Artificiale në arsimin e lartë

Kreu >Lajmet e fundit >WBU organizon sesion informues mbi përdorimin e përgjegjshëm dhe efektiv të Inteligjencës Artificiale në arsimin e lartë

Më 11 nëntor 2026, Western Balkans University organizoi një sesion informues interaktiv me temë “Përdorimi i Përgjegjshëm dhe Efektiv i Inteligjencës Artificiale në Arsimin e Lartë”, me fokus mundësitë dhe përgjegjësitë që lidhen me integrimin e Inteligjencës Artificiale në procesin e të nxënit.

Aktiviteti synoi t'u ofronte studentëve njohuri praktike dhe mjete të dobishme për përdorimin e Inteligjencës Artificiale gjatë studimeve, duke ruajtur integritetin akademik, mendimin kritik dhe të nxënit e pavarur.

Gjatë sesionit u trajtuan tri tema kryesore:

  • Përdorimi Etik i Inteligjencës Artificiale në Jetën Akademike: Përdorimi i përgjegjshëm i Inteligjencës Artificiale, integriteti akademik dhe përgjegjësitë e studentëve në mjedisin universitar, prezantuar nga Assoc. Prof. Dr. Erlis Çela.

  • Prompt Engineering për të Nxënit: Teknikat e formulimit të kërkesave efektive për mjetet e Inteligjencës Artificiale, me qëllim përmirësimin e të kuptuarit, eksplorimin e ideve dhe mbështetjen e procesit të të nxënit, prezantuar nga Dr. Ergys Çokaj.

  • Mjetet e Inteligjencës Artificiale në Google Classroom: Aplikimet praktike të mjeteve të Inteligjencës Artificiale për mbështetjen e procesit mësimor dhe aktiviteteve në klasë, prezantuar nga MSc. Krisien Xoxa.

Përmes këtyre prezantimeve, u theksua rëndësia e përdorimit të Inteligjencës Artificiale si një mjet mbështetës për zhvillimin akademik, pa zëvendësuar mendimin e pavarur. Vëmendje e veçantë iu kushtua aspekteve etike dhe aftësive praktike të nevojshme për përdorimin e përgjegjshëm dhe efektiv të teknologjive të reja.

Përmes organizimit të aktiviteteve të tilla, Western Balkans University vijon të promovojë zhvillimin e aftësive digjitale, integritetin akademik dhe qasjet inovative në mësimdhënie dhe të nxënë, duke inkurajuar studentët të zhvillojnë kompetencat e nevojshme në një mjedis akademik dhe profesional gjithnjë e më të orientuar drejt teknologjisë.