WBU Organizoi Masterclass mbi Mundësitë për të Rinjtë dhe Perspektivën Evropiane | Western Balkans University

WBU Organizoi Masterclass mbi Mundësitë për të Rinjtë dhe Perspektivën Evropiane

Kreu >Lajmet e fundit >WBU Organizoi Masterclass mbi Mundësitë për të Rinjtë dhe Perspektivën Evropiane

Western Balkans University mirëpriti masterclass-in “Building Your Future at Home”, organizuar nga Young European Ambassador Olta Shehu në bashkëpunim me Klubin e Debatit të WBU, në kuadër të fushatës EU With YOU / WeBalkans.

Aktiviteti synoi të inkurajojë të rinjtë të identifikojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë për zhvillim personal dhe profesional, duke kontribuar njëkohësisht në komunitetet e tyre dhe duke qëndruar të lidhur me vlerat dhe iniciativat evropiane. Fushata EU With YOU synon të afrojë Bashkimin Evropian me qytetarët e Ballkanit Perëndimor përmes promovimit të programeve, mundësive dhe historive të suksesit të mbështetura nga BE.

Gjatë masterclass-it, studentët patën mundësinë të dëgjojnë dhe të bashkëbisedojnë me të ftuar të veçantë nga fusha të ndryshme profesionale. Flori Gjini, gazetar, figurë e njohur e medias dhe ekspert i komunikimit, ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e tij mbi rëndësinë e komunikimit, fuqinë e medias dhe rolin e iniciativës personale në krijimin e mundësive për sukses.

Po ashtu, Klajdi Priska, ekspert i çështjeve globale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, prezantoi mundësitë konkrete që ofrohen për të rinjtë përmes programeve rinore, bashkëpunimit rajonal dhe iniciativave për zhvillim profesional.

Përmes diskutimeve interaktive, studentët reflektuan mbi zhvillimin e karrierës, lidershipin, angazhimin qytetar dhe rolin që të rinjtë kanë në ndërtimin e së ardhmes së komuniteteve të tyre. Aktiviteti vuri në pah rëndësinë e zhvillimit të aftësive, njohjes së mundësive dhe pjesëmarrjes aktive në shoqëri, duke përfituar njëkohësisht nga rrjetet dhe bashkëpunimet evropiane.

Ky masterclass shërbeu si një platformë e vlefshme për shkëmbimin e ideve, frymëzimin dhe dialogun konstruktiv, duke reflektuar angazhimin e Western Balkans University për fuqizimin e të rinjve, qytetarinë aktive dhe ndërkombëtarizimin.