Me pjesëmarrjen e 70 kompanive dhe institucioneve prestigjioze, WBU organizon Panairin e Karrierës | Western Balkans University

Me pjesëmarrjen e 70 kompanive dhe institucioneve prestigjioze, WBU organizon Panairin e Karrierës

Kreu >Lajmet e fundit >Me pjesëmarrjen e 70 kompanive dhe institucioneve prestigjioze, WBU organizon Panairin e Karrierës

Universiteti Western Balkans organizon edicionin e dytë të Panairit të Karrierës, i cili paraqet pjesëmarrjen e shtatëdhjetë kompanive dhe institucioneve prestigjioze.

Ditën e sotme, në ambientet e Universitetit Western Balkans, u zhvillua edicioni i dytë i Panairit të Karrierës, në bashkëpunim me Dhomën Britanike të Tregtisë në Tiranë. 

Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 70 biznese dhe institucione të ndryshme, të cilat ofruan informacion të vlefshëm mbi mundësitë e internshipeve dhe punësimeve për studentët. Ky panair u kthye në një pikëtakim të rëndësishëm midis botës akademike dhe tregut të punës. 

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Rektorit të Universitetit Western Balkans, Prof. Dr. Ferdinad Gjana, i cili falënderoi të gjitha institucionet dhe bizneset pjesëmarrëse për kontributin e tyre. Më pas, fjalën e mori Dr. Klodian Allajbeu, themelues i Spitaleve Amerikane dhe President i Dhomës Britanike të Tregtisë në Tiranë, i cili ndau përvojën e tij personale që nga koha kur ishte student, duke theksuar rëndësinë e lidhjes së hershme të të rinjve me tregun e punës. 

Fjalimi vijoi me Z. Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, i cili shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me universitetin në funksion të përgatitjes së brezit të ri profesional. Përshëndetje të veçantë mbajti edhe Z. Simon Charters, Drejtues i Programeve pranë Ambasadës Britanike, i cili shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin me Western Balkans University dhe vlerësoi nismat që nxisin zhvillimin e të rinjve. 

Fjalën përmbyllëse e mbajti Prof. Iris Luarasi, e cila theksoi se çdo hap, sado i vogël, është i rëndësishëm për zhvillimin profesional të studentëve, duke i inkurajuar ata të përfshihen aktivisht në mundësitë që ofrohen. 

Universiteti Western Balkans mbetet i përkushtuar në krijimin e urave të bashkëpunimit midis akademisë dhe industrisë, duke ofruar mundësi reale zhvillimi për të rinjtë e rajonit.