Departamenti i Farmacisë synon të krijojë një program farmaceutik modern dhe të qëndrueshëm që përgatit farmacistë të aftë, me integritet dhe të përkushtuar. Përmes mësimdhënies në gjuhën angleze, këta farmacistë do të jenë të përgatitur të japin kontributin e tyre jo vetëm në tregun kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar të shëndetësisë.
Programi i integruar Master i Shkencave në Farmaci (5-vjeçar) ndërthur bazat shkencore të biologjisë, kimisë dhe mjekësisë me njohuritë profesionale dhe klinike të farmacisë moderne. Kurrikula është ndërtuar në përputhje me standardet europiane dhe përfshin lëndë bashkëkohore si bioteknologjia farmaceutike apo farmakogjenomika.
Departamenti është i përkushtuar të formojë profesionistë të përgjegjshëm dhe të aftë për të kontribuar në përdorimin racional të barnave, zhvillimin e terapive të reja dhe përmirësimin e shëndetit publik. Studentët përfitojnë nga bashkëpunimi me një numër të madh kompanish farmaceutike, institucioneve të ndryshme dhe marrëveshje me universitete ndërkombëtare, të cilat lehtësojnë procesin e praktikave profesionale, shkëmbimeve studentore dhe përfitimin e aftësive të reja për zhvillimin personal dhe profesional.
Misioni i Departamentit është të edukojë brezin e ardhshëm të farmacistëve që do të sjellin ndryshimin në kujdesin farmaceutik, sigurinë e përdorimit të barnave në shërbim të pacientit dhe shoqërisë, si dhe në kërkimin shkencor.