WBU ofron bursa studimi për maturantët që vijnë nga qytetet Kukës, Has, Tropojë dhe Peshkopi | Western Balkans University

WBU ofron bursa studimi për maturantët që vijnë nga qytetet Kukës, Has, Tropojë dhe Peshkopi

Home >Latest News >WBU ofron bursa studimi për maturantët që vijnë nga qytetet Kukës, Has, Tropojë dhe Peshkopi

Universiteti “Western Balkans” ofron bursa studimi në programet Bachelor për maturantët që vijnë nga qytetet Kukës, Has, Tropojë dhe Peshkopi. 

Bursat mundësohen nga Dhoma e Tregtisë së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë në kuadër të projektit “Perspektiva të Reja” në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri. 

Bursat e Studimit të ofruara nga WBU për të gjitha programet Bachelor synojnë tu vijnë në ndihmë të rinjve nga këto zona. 

Në ceremoninë e firmosjes së memorandumit morën pjesë Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Sh.T.Z. Alastair King-Smith, Kryetari i Dhomës së Tregtisë të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë Dr. Klodjan Allajbeu, Presidenti i Universiteti “Western Balkans”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, menaxheri i projektit “Perspektiva të Reja” z. Edval Zoto si dhe të ftuar të tjerë. 

Prof. Dr. Ferdinand Gjana në fjalën e tij të mirëseardhjes falënderoi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunimin si dhe Kryetarin e Dhomës të Tregtisë së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë për mbështetjen e pakursyer që i jep këtij projekti. Ai shprehu kënaqësinë që Universiteti “Western Balkans” është pjesë e këtij projekti për tu ardhur në ndihmë të rinjve në zonat verilindore të Shqipërisë. 

Prof. Gjana tha ndër të tjera se këto projekte motivojnë më shumë të rinjtë për të studiuar dhe zgjedhur një të ardhme më të mirë. 

Ambasadori në fjalën e tij theksoi se kjo është një mundësi fantastike për maturantët për të qëndruar në vendin e tyre dhe për të mësuar nga më të mirët dhe për të krijuar të ardhmen e tyre në Shqipëri. 

Kryetari i Dhomës së Tregtisë në Mbretërinë e Bashkuar në Tiranë Dr. Klodjan Allajbeu u shpreh se WBU është i përkushtuar për të ofruar më të mirën qoftë nga ana infrastrukturore ashtu edhe nga mundësitë e shumta që ofron. 

Kandidatët duhet të aplikojnë në U-Albania dhe të zgjedhin njërin nga programet bachelor të ofruara nga Universiteti “Western Balkans” në raundin e dytë të aplikimeve në datat 15 – 17 Shtator 2023 dhe të paraqiten sa më parë pranë universitetit për të kryer procedurat paraprake të aplikimit.