
Western Balkans University zhvilloi një ligjëratë të thelluar dhe me fokus të qartë shkencor me titull “Horizontet e Shëndetit Publik – Realiteti Post-Pandemik dhe Kërcënimet në Shfaqje,” duke i ofruar studentëve një panoramë të plotë mbi zhvillimet aktuale në fushën e shëndetit global.
Ligjërata u drejtua nga Dr. Leidon Shapo, MD, MScPH, FRSPH, specialist i mirënjohur i Shëndetit Publik, me eksperiencë të gjerë në organizata ndërkombëtare si WHO, UNDP, UNICEF, si edhe në reagimin mjekësor ndaj COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar.
Dr. Shapo paraqiti një analizë të qartë dhe të bazuar në prova shkencore mbi pasojat afatgjata të COVID-19, shfaqjen e sëmundjeve të reja infektive dhe rëndësinë gjithnjë e më të madhe të shëndetit të zorrëve në forcimin e imunitetit. Ai solli gjithashtu perspektiva strategjike mbi politikat e vaksinimit, kujdesin ndaj të moshuarve dhe masat moderne të mbrojtjes shëndetësore.
Kjo ligjëratë u dha studentëve mundësinë të angazhohen me njohuri të avancuara dhe të kuptojnë sfidat që pritet të formësojnë të ardhmen e shëndetit publik. Western Balkans University falënderon Dr. Shapo për kontributin e tij të çmuar në pasurimin e përvojës akademike të studentëve.
