Bordi i Administrimit është organi më i lartë kolegjial administrativ i Universitetit “Western Balkans”. Ai garanton përmbushjen e
misionit të institucionit dhe siguron qëndrueshmërinë financiare dhe administrative të tij. Bordi përbëhet nga pesë anëtarë, të
emëruar nga Shoqëria Themeluese për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë riemërimi. Ky organ funksionon në mënyrë të pavarur nga
autoritetet drejtuese të universitetit, ndërsa bashkëpunimi me to realizohet përmes pjesëmarrjes në mbledhje periodike.
Bordi ka kompetenca të gjera në mbikëqyrjen e menaxhimit financiar, miratimin e planeve strategjike, buxheteve institucionale dhe
strukturave të personelit, si dhe në përcaktimin e tarifave të shkollimit dhe politikave të bursave. Gjithashtu, Bordi miraton
marrëveshjet e bashkëpunimit me ndikim financiar dhe garanton respektimin e rregulloreve të brendshme dhe kuadrit ligjor.
Takimet e Bordit drejtohen nga Kryetari, i cili siguron një proces vendimmarrës efektiv dhe të bazuar në parimet e transparencës,
integritetit dhe paanshmërisë.